Shuhet albanologu Eric Pratt Hamp

Shuhet albanologu Eric Pratt Hamp

18 February 2019 14:58

Albanologjia ka humbur njërin prej studiuesve të saj të zellshëm. Albanologu Eric Pratt Hamp ka vdekur në moshën 99-vjeçare.

Hamp u lind në nëntor 1920 në Londër, ndërsa nga 1925 jetonte dhe vepronte në SHBA. Pas studimeve të rregullta dhe doktorale në Harvard, kohën më të madhe punoi në Universitetin e Chicagos, ku e përfundoi punën si profesor emeritus, raporton Koha Ditore.

Gjuhëtar me renome ndërkombëtare, studiues nga më të shquarit në fushën e gjuhësisë krahasimtare-historike, indoeuropeist, ballkanolog, keltolog, romanist-rumanist, armenist, sllavist, gjithsesi albanolog me kontakte shumë të hershme me botën shqiptare në Kosovë, në Malin e Zi, në Maqedoni, me botën arbëreshe në Itali dhe me botën arbërore në Greqi, me studiuesit dhe intelektualët e shquar në diasporë, pas viteve ’90 dhe në Shqipëri, me lidhje të forta të miqësisë intelektuale gjithandej nëpër Ballkan e në botë.

Eric Pratt Hamp ishte zgjedhur anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës qysh nga vitet ’90, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë më vonë.

ASHAK botoni një vëllim me studime të përzgjedhura të Eric P. Hampit në 440 faqe, me titullin “Studime krahasuese për shqipen”.

Në Prishtinë profesor Hamp ka ardhur vazhdimisht ndër vite, ka marrë pjesë në Seminarin Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, ka mbajtur kontakte me kolegët në Kosovë, ka bashkëpunuar deri në shkallën sa të synonim projektin afatgjatë të studimeve kontrastive anglisht-shqip.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme