Kulturë

“Andërr” me historitë e përditshme dhe ikjen e kohës

Prishtinë, 14 shkurt – Vëmendja ndaj gjërave të kota, që mund të marrë aq kohë sa që njerëzit të humbin prioritetet e tyre është në qendër të vëmendjes. Koncepti i Kreshnik Musollit shkon edhe më tej.

Rrëfimi i tij që shpaloset nëpërmjet një loje baleti, prek edhe trendët e sotëm shoqërorë. Mashtrimi pas lakmisë për t’u bërë njëfarë “kauboji” kthehet në goditje të fortë kundër njërit prej personazheve. E si pasojë i prishet edhe ëndrra për vajzën që do. Krejt kjo do të shpërfaqet nëpërmjet shfaqjes “Andërr” të Baletit Kombëtar të Kosovës me koreografi të Kreshnik Musollit, i cili është balerin në këtë institucion. Shfaqja do të jepet sonte (e enjte) dhe është premiera e parë e BKK-së për këtë vit.

Në konferencën për media, të mërkurën, Musolli ka treguar se shfaqja që rrumbullakohet në 55 minuta gërsheton shumë stile të baletit. Ka thënë tema përthekon aktualitetin me të cilin ballafaqohen qytetarët, sot si ëndrrat, lakminë, anomalitë e tjera. Kryefjalë është rëndësia e kohës. Ka veçuar një skenë përmes së cilës ka pasqyruar gjendjen aspak të mirë ku balerinët i bëjnë provat.

“Ky është një realitet i hidhur, ku njeriu po duhet t’i mbajë dy apo tri punë për të arritur t’i realizojë kërkesat elementare jetësore, dhe kjo është arsyeja që ia merr gjithë kohën dhe nuk arrin të shpenzojë kohë me familje dhe njerëz të tjerë përreth”, ka thënë Musolli. Por Musolli prek edhe aspekte të tjera vendore.

Paraqet edhe gjendjen e mjerueshme të Kosovës, siç është ndotja e ajrit, izolimi e shumë probleme të tjera.

“Andërr” është shfaqja e tretë e BKK-së që punohet nga koreografë të brendshëm, të cilët pas viteve si balerinë kanë hedhur hapat e parë në koreografi.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")