Kulturë

Kiço Blushi – pena që vulosi letërsinë e kinemanë shqiptare

Kultura shqiptare ka humbur një zë të veçantë të saj. Të premten mbrëma ka vdekur shkrimtari, skenaristi e publicisti i njohur shqiptar Kiço Blushi. Ai ishte 75-vjeçar. La vulë në letërsi e do të njihej gjerësisht si skenarist i filmave emblematikë shqiptarë, ndër të cilët “Beni ecën vetë” e “Nëntori i Dytë”. Është autor i 14 skenarëve, e për këtë nga disa do të cilësohej edhe si “babai i skenarëve të filmave shqiptarë”. Varrimi i tij do të bëhet sot (e shtunë) në Tiranë, shkruan sot Koha Ditore.

Blushi u lind më 23 gusht 1943 në qytetin e Korçës. Pas përfundimit të studimeve të larta për letërsi shqipe dhe ruse, filloi punën si redaktor pranë Radiotelevizionit Shqiptar. Në vitin 1974 kaloi si redaktor në kinostudion “Shqipëria e Re” në sektorin e skenarëve. Skenari i tij i parë ishte ai i filmit “Çifti i lumtur”, në vitin 1975, ku u shfaq si bashkautor.

Me skenarin e shkruar në po të njëjtin vit u shfaq si autor i vetëm i skenarit të filmit “Beni ecën vetë”, version kinematografik i librit shumë të suksesshëm me të njëjtin titull. Ky film u vlerësua me Çmimin e Republikës së Klasit III. Pos skenarëve për “Beni ecën vetë” e “Nëntori i Dytë” ai shkroi edhe ata për filma të suksesshëm të asaj kohe e që tashmë janë shndërruar në trashëgimi të kinemasë shqiptare si “Koncert në vitin 1936”, “Në shtëpinë tonë”, “Një natë pa dritë” e të tjerë. Si shkrimtar ka sjellë edhe dhjetëra tituj romanesh, novelash e tregimesh, si dhe libra me poezi, si “Çatia e të gjithëve”, “Midis dy njerëzve”, “Pajtoni i fundit”, apo dhe romani i publikuar pak vite më parë “Gjuha e gjakut”.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)