Kulturë

Pesë drama nga Kosova “flasin” anglisht

Prishtinë, 7 shkurt – Pesë drama të dramaturgëve kosovarë tashmë flasin edhe anglisht në një botim. “Bodrumi” i Ilir Gjocajt, “Vrasja e mushkonjës” me autor Xhevdet Bajrajn, “Gishti” me autore Doruntina Bashën, “Kafeneja në udhëkryq” e Visar Krushës e “Fluturim mbi teatrin e Kosovës” e Jeton Nezirajt, janë bërë bashkë në antologjinë e botuar nga shtëpia e pavarur botuese “Laertes Books” që ka për synim përkthimet letrare.

“One Flew over the Kosovo Theater” (Fluturim mbi tetarin e Kosovës), me nëntitullin “Një antologji e dramës bashkëkohore nga Kosova”, prezantohet si antologji që ka përmbledhur dramat që bartin edhe kontekst historik. Vepra e botuar në Karolinën e Veriut ka marrë vlerësime të larta nga dramaturgë e personalitete të tjera. Pesë vjet më parë qe botuar edhe në serbisht nga “Links”.

“Dramat në këtë libër janë dëshmi se idetë e gjalla, qeshja subversive dhe personazhet e portretizuara nuk mund të heshtin”, ka shkruar dramaturgu me nam botëror Ariel Dorfman, shënimi i të cilit zë vend në këtë botim. Midis të tjerash, dokumente historike, politike e sociale i ka cilësuar pesë dramat Michael Hasted, redaktor në revistën “StageTalk” në Britani të Madhe. “Unë mendoj se në vitet që vijnë ato do të pranohen dhe jo vetëm si të mira dhe të vlefshme, por edhe që kanë vlerë, si Brecht për shembull...”, ka shkruar ai.

Me një parathënie të sociologes e ish-konsulentes së Kombeve të Bashkuara, Anna di Lellio, përmban drama që janë të ndikuara nga zhvillimet dramatike të historisë kosovare. Sipas saj, kur ekzaminohet periudha e dekadave të fundit duhet të kujtohet lufta e Kosovës që filloi më 1998.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")