Në Mesjetë inkuizicioni, ky kombinim i policisë me gjyqësorin, kishte qëllim të luftonte herezinë. Heretikët, siç e thotë edhe etimologjia, shkaktonin përçarje te besimtarët, sepse jepnin alternativa, shkruan sot në Koha Ditore Ag Apolloni.
Mesjeta u druhej alternativave, prandaj i përndiqte heretikët nëpërmjet policisë së inkuizicionit, që u bë makthi kryesor i të gjithë dijetarëve që s’mund të mjaftoheshin me dogmën katolike. Dhe, kështu, e kuptojmë se Cormac McCarthy ka të drejtë kur thotë se “në historinë e botës ka pasur më shumë ndëshkime se krime”.
Edhe në Mesjetën tonë, që erdhi pas shekullit njëzet, inkuizicioni është në aksion. Vetëm se tash mjetet i ka më të sofistikuara. Këtu ku Legjislativi e kap për veshi Gjyqësorin dhe e detyron t’i bindet Ekzekutivit, format e vjetra jo vetëm që nuk janë zhdukur, por edhe janë përpunuar. Shpifjet, kërcënimet, torturat, vrasjet, janë pjesë e showbiz-it qeveritar. Disa bëhen haptazi, disa në fshehtësi. Nuk është e vërtetë se filmi “Kumbari” ka vetëm tri pjesë. Ai në jetën tonë është kthyer në serial me episode pa fund si serialet latine, turke a indiane, që me muaj e vite na torturojnë nga televizionet tona.
Inkuizicioni politik fillimisht të shpall heretik, pastaj t’i lëshon langonjtë e vet, të cilët të përcjellin në çdo hap, në çdo veprim, në çdo gjest. Ai krijon paranojë te qytetarët e pabindur, të cilët i godet në mënyrë tinëzare, në mënyrë që ata të kujtojnë se u goditën nga fati, ose fantazma, dhe kështu i kthen në fatalistë ose lunatikë. Duke qenë se shteti vazhdon të mbetet i mbyllur, falë politikës sonë të korruptuar dhe kriminale, heretiku kosovar është i kurthuar fatalisht. E vetmja gjë që i mbetet është ta mbyllë gojën dhe të bindet. (Tirania brina s’ka!). (Tekstin e plotë lexojeni sot në Koha Ditore).