Kulturë

Ministria e Kulturës harron dështimet, numëron sukseset

Foto: Koha

Në konferencën e fundvitit ministri i Kulturës, Kujtim Gashi, ka folur fiks 30 minuta. Kaq i janë dashur për t’i përmbledhur ato që i ka paraqitur si suksese të këtij viti. Gjatë fjalës së tij përballë mediave në asnjë rast nuk i ka përmendur dështimet, shkruan sot Koha Ditore.

Ka nisur me rritjen e pagave për krijuesit, performuesit e punonjësit profesionalë të trashëgimisë kulturore. Kjo ka thënë se është ndër arritjet kryesore në fushën e kulturës. Marrëveshja “Evropa kreative” me Bashkimin Evropian, Kalendari Kulturor me Shqipërinë, arritja e përkrahjes për projektet e pavarura kulturore, që sipas ministrit arrijnë në 1.4 milionë euro, janë disa nga arritjet që ka nënvizuar ministri Gashi. Ka përmendur përfaqësimin e Kosovës në edicionin e sivjetmë të Bienales Ndërkombëtare të Arkitekturës në Venecia, në Festivalin e Filmit në Cannes, në “European Film Market”, në “Berlinale”, e në tregun e filmit “Japan Content Showcase - TIFFCOM 2018”.

Gashi ka numëruar premierat e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ato të Baletit Kombëtar të Kosovës, koncertet premierë të Filarmonisë së Kosovës e të “Shotës”. Ka thënë se këto institucione kanë përfaqësuar Kosovën edhe jashtë vendit. Në këtë rast ka përmendur Baletin Kombëtar të Kosovës si institucionin më të suksesshëm. Ka shtuar se Galeria Kombëtare e Kosovës ka realizuar 13 ekspozita me artistë vendorë e ndërkombëtarë dhe ka pasur bashkëpunim me disa vende të rajonit, e Galeria e MKRS-së ka realizuar 11 ekspozita.

“Qendra Kinematografike e Kosovës ka mbështetur prodhimin e filmave vendorë, projekte të cilat kanë marrë pjesë në festivalet botërore dhe përpos që janë nominuar kanë arritur të shpërblehen edhe me disa çmime”, ka thënë Gashi.(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)