Kulturë

Diplomatët ndërkombëtarë, “Lopën e Machiatos” në anglisht e quajnë nevojë për të kuptuar realitetin

“Lopa e Macchiatos”, ky rrëfim i veçantë e intrigues të “vjedh” vëmendjen që në titull.

Jo shpeshherë na rastis të lexojmë për identitetin nacional, politikën e qytetarinë përmes rrëfimeve personale e familjare. Po kjo është ajo që e bën të veçantë librin e 9-të të Veton Surroit.

Nga spektri i këndvështrimit familjar, autori e përshkruan gjendjen sociale e politike të Kosovës ndër vite me ndërrime të herëpashershme të pushteteve.

Historia e ndërthurur me artin e të shkruarit, ka bërë që “Lopa e Macchiatos” të jetë ndër librat më të kërkuar të vitit 2018.

Disa fragmente të shkurtra të përkthyera në gjuhën angleze, kanë bërë që ky libër të tërheqë edhe vëmendjen e lexuesve të huaj.

Me mbi 600 kopje të shitura vetëm në ditën e parë të Panairit të Librit, sivjet në Prishtinë dhe më i shituri në përgjithësi, ky botim i “KOHËS” tani mund të lexohet edhe në gjuhën angleze.

Promovimi i “Lopës se Macchiatos”, tashmë të përkthyer në gjuhën angleze, mblodhi diplomatë e dashamirë të librit në një vend.

Në hapësirën e Galerisë së Arteve “Monet”, gjatë këtij promovimi, mbretëroi një atmosferë e ngrohtë e pozitive, derisa u fol për shkrimin, politikën e historinë.

Me librin e përkthyer në duar, të ftuarit u shprehën shumë entuziastë që tani kanë mundësi ta lexojnë e ta kuptojnë vetë, e ndër ta ishte edhe Ambasadori i Francës në Kosovë.

“Jam shumë i lumtur që gjendem këtu sonte. Ky libër i Veton Surroit është një reflektim mbi politikën e Kosovës ndër vite, një kontribut më të vërtetë i madh nga ai. Sapo mora librin e përkthyer dhe jam shumë i lumtur që më në fund do të mund ta lexoj e ta analizoj vetë”, ka hënë Didier Chabert, ambasador i Francës në Kosovë.

Diplomatët ndërkombëtarë e quajtën “Lopën e Macchiatos” kontribut, ndihmë dhe analizë të thellë e të veçantë të gjendjes politike e shoqërore të Kosovës.

“Shkrimtarët janë me të vërtetë të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe identitetit kulturor të një vendi. Në rastin e Veton Surroit, kemi të bëjmë më një shkrimtar që ka histori dhe ka sjellë një këndvështrim të veçantë për politikën dhe shoqërinë kosovare. Ky libër është ndihmë e madhe në të kuptuarit e zhvillimit të Kosovës. Jam shumë e lumtur që isha këtu sonte dhe mezi pres ta lexoj librin”, ka thënë Ulrika Richardson, Koordinatore e OKB-së për zhvillim në Kosovë.

Librat e Veton Surroit cilësohen si plotësim i çdo njohurie për gjendjen politike e shoqërore të Kosovës, e sidomos për diplomatët e huaj. “Lopa e Macchiatos” ofron mundësinë që ata të mësojnë për Kosovën përtej rrëfimeve të politikës ditore.

Në përurimin e këtij libri në qershor të këtij viti, “Lopa e Macchiatos” u konsiderua si një testament i mbamendjes së munguar historike, një udhërrëfyes për klasën e munguar politike, manual i filozofisë politike apo platformë për zgjidhjen e nyjave të ndërthurura të realitetit politik ndër vite në Kosovë.