Stili i punimeve të tij në artin pamor pritet të shfaqet përballë publikut parisien.
Pas disa ekspozitave të organizuara në qytetet evropiane, artisti vizual, Dardan Zhegrova, në fillim të vitit 2019 do t’i prezantojë disa vepra të tij në ekspozitën kolektive, e cila do të mbahet në kryeqytetin francez, bën të ditur emisioni “Express” i KTV-së.
Për emisionin Express, ai bëri të ditur se në Paris do të udhëtojë për ta prezantuar një skulpturë, dhe performancën e titulluar “Lucky Pierr”.
Kjo ekspozitë në Paris, sipas Zhegrovës, bën bashkë artistë të cilët do t’i shfaqin veprat e tyre në kuadër të temës “Dashuri ndaj vetvetes”.
Dardan Zhegrova, brenda këtij viti ka mbajtur ekspozita dhe performanca në Berlin, Tiranë dhe Prishtinë.
Artisti vizual, Zhegrova, vitin e kaluar ka triumfuar me veprën “E kam ditur se një ditë do të bëhem valltar”, në edicionin e pesëmbëdhjetë të “Gjon Milit”, ekspozitë kjo e cila tradicionalisht organizohet nga Galeria Kombëtare e Kosovës.