Kulturë

“Ajo” vulos suksesin edhe në Kajro

Se More Raça është filmbërëse premtuese e ka dëshmuar edhe një herë. Këtë vulë e ka marrë nga njëri prej 15 festivaleve botërore të kategorisë A. Juria në përbërje të profesoreshës Cathy de Haan nga Gjermania, regjisorit e skenaristit, Karim Moussaoui nga Algjeria dhe aktores egjiptiane Yassmin Raies ia ka dhënë filmit “Ajo” të Raçës Çmimin special të jurisë në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Kajro, shkruan sot Koha Ditore.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të edicionit të 40-të të Festivalit, të enjten mbrëma, ajo ka dalë fituese në kategorinë “Kinemaja e së nesërmes”. Rrëfimi dramatik i një familjeje kosovare ka triumfuar me çmimin kryesor në kategorinë me 22 filma. Me çmime janë vlerësuar edhe filmat: “A Fishers’ Recall” nga Kolumbia “Dark Chocolate” nga Egjipti, “Brotherhood” bashkëprodhim i Kanadasë, Tunizisë e Suedisë dhe “Poisonous Roses” nga Egjipti.

Raça i ka thënë gazetës se çmimi në këtë kategori është një sukses shumë i madh dhe i rëndësishëm jo vetëm për të, por edhe për kinematografinë e vendit që përfaqëson.

(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “Koha Ditore”)