"Sis'lej baglat"

"Sis'lej baglat"

19 shtator 2018 08:14

“Të bashkuar për kafshët” ​/​“Vuajtja nuk është art” ​/​“Sis’lej baglat!” ​/​“S. Xhafa, ke pak mirëkuptim”

Sislej Xhafa përmes një refleksioni u ka reaguar atyre që protestuan kundër tij javë më parë, për gjoja keqtrajtimin e kafshëve.

Po e botojmë të plotë, ashtu siç ai ia ka dërguar redaksisë sonë.

Mirëkuptim?

Për kë?

Për lopët? Për ty? Për juve?

Arti nuk është mirëkuptim. Madje, arti nuk kërkon mirëkuptim; nuk do të duhej të kërkonte mirëkuptim. Arti nuk mund të mendohet përmes kornizës së mirëkuptimit. Mirëkuptimi korrupton artin. Ndërsa, roli i artit është që të korruptojë mirëkuptimin. Vetë fakti që ju keni kërkuar mirëkuptim nga unë, do të thotë që arti im ju ka korruptuar. Ju jeni subjekte të korruptuara të artit tim. Prandaj, unë i gëzohem këtij fakti. Edhe lopët festojnë nga ky korruptim i disa subjekteve nga arti im. Unë dhe lopët festojmë. E gëzohemi.

Baglat?

Fabrizio de Andre, njëri prej kantautorëve më të njohur italian këndonte: “Nga diamantet nuk lind asgjë, nga baglat lindin lulet”. E kuptuat? Nga baglat e lopëve lindi një krijim artistik, dhe si pasojë e tij, një subjekt i korruptuar. Për këtë arsye unë i çmoj baglat. Tek e fundit, kush jam unë që të mos i çmoj baglat? Askush. Për (mikro)borgjezinë kosovare bagla përfaqëson figurën e fytyrërreshkurit/es. Ata/o që jetojnë nga baglat. Dhe jo nga diamantet. Ata/o që përbuzen nga (mikro)borgjezia. Baglat në artin tim janë formë e solidaritet me fytyrërreshkurit/et e Kosovës. Prandaj, siç do të brohoritej në Shqipërinë e të gjashtëdhjetave: “Rrofshin baglat!”. Hm, ndoshta ky do të jetë titulli i performancës së ardhshme!

Vuajtja nuk është art?

Oh, sa e pakuptimtë. Sa bajate! Moralizuese! Nuk e kuptuat ende që arti, përveçse nuk kërkon mirëkuptim, aq më pak kërkon moral. Morali të rrijë me moralizuesit. Sikurse ju. Vuajtja nuk është art!! Theodor Adorno shkruante: “Njëri prej kushteve të së vërtetës është që të lejojë vuajtjen të flasë”. Dhe vuajtja foli. Foli përmes moralizuesve që kërkuan mirëkuptim. Subjektet moralizuese që kërkuan mirëkuptim nga arti im jo vetëm që u korruptuan, por arritën që t’i japin zë vuajtjes. Fytyrërreshkurve të Kosovës. Viktimave të konsumerizmit. Viktimave të borgjezisë. Viktimave të aparatit shtetëror. Viktimave të mushkonjave. Viktimave të spektaklit. Oh, spektakli! Ky opium që ka për qëllim që t’i identifikojë subjektet me komoditete dhe kënaqësinë me mbijetesë.

Të bashkuar për kafshët.

Të bashkuar për viktimat e konsumerizmit.

Të bashkuar kundër (mikro)borgjezisë.

Të bashkuar kundër aparatit shtetëror.

Të bashkuar kundër mushkonjave.

Të bashkuar kundër spektaklit

Të bashkuar me të gjithë fytyrërreshkurit/at e Kosovës.

Edhe unë ju bashkohem.

Le të bashkohemi!

Shtator 2018, Ahër

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme