KTV

Halitaj: Sëmundjet mendore trajtohen e ndonjëherë shërohen

Sëmundjet e shëndetit mendor e prekin çdokënd pa marrë parasysh nivelin e edukimit, pozitën që e ka apo nivelin e të ardhurave financiare.

Në podcastin "Me Kast" me Paulina Nushi Muhaxhiri, psikiatri Muhamet Halitaj tha se këto sëmundje njësoj si sëmundjet tjera kërkojnë diagnostikim, trajtim e ndonjëherë gjejnë edhe shërim të plotë.

"Ekziston një stigmë e popullatës për referim të pacientëve me probleme mendore, edhe pse ka një avancim në krahasim ne kohën e paraluftës. Gjithsesi sot kërkohet më shumë ndihmë nga psikologu apo psikiatri" tha Halitaj.

Psikiatri më tutje tha se familjarët duhet të mbështetin pacientët. Ai tha se pacientët me sëmundje si skizofrenia kërkojnë trajtim serioz dhe neglizhimi ka pasoja.

"Skizofrenia ndryshe quhet edhe kanceri i mendjes. Është sëmundje që i atakon moshat e reja. Sëmundje që është e vështirë për pacientin dhe shoqërinë. Këta persona nuk binden edhe nga realiteti në të cilin jetojnë. Prandaj është sëmundje e vështirë por nuk e kursen askënd. Por kjo sëmundje mund të mbahet në kontroll me terapi dhe mund të integrohen në shoqëri"

Ndërsa për termin e shumëpërmendur në shoqëri, atë "psikopat" psikiatri ka një shpjegim.

"Termi psikopat është larguar nga literatura, tash është zëvendësuar me çrregullim personaliteti. Është term që përdoret për të ashtuquajturit njerëz të këqij që nuk i përshtaten rregullave dhe normave në shoqëri dhe nuk ndjehen fajtorë. Ata nuk përkojnë me të sëmurit skizofrenë sepse nuk dalin nga realiteti. Shumica nga ata nuk kërkojnë ndihmë mjekësore e kjo paraqet problem" tha Halitaj.

Të gjitha sëmundjet psikike mund të menaxhohen dhe pacientët mund të jetojnë jetë normale sipas psikiatrit.

“Unë nuk e kam problem me e shërua pacientin, e kam problem ta sjellë te unë. Kur përdoret terapia dhe psikoterapia gjendja e tyre përmirësohet shumë"

Sipas doktor Halitaj çrregullim personaliteti është edhe narcizoizmi sepse këta persona bëhen edhe të dhunshëm për ta mbrojtur egon e vet.

Psikiatri dha shembullin e pacientit të tij me diagnostikim të çrregullimit bipolar i cili pas trajtimit është riintegruar në shoqëri dhe e ka rinisur jetën.

Ai bëri thirrje që të kërkohet ndihmë dhe të mos neglizhohen sëmundjet mendore.