Kronikë

Vrau vëlla e motër në Rrëshen, policia jep 5 milionë lekë për çdo informacion

Policia ofron 5 milionë lek për çdo person që tregon vendndodhjen e Fatmir Kolecajt, i cili mbrëmjen e djeshme vrau vëlla e motër në Rrëshen.

Policia ka publikuar edhe foton e Fatmir Kolecaj. Autori ka rrëmbyer armën e zjarrit dhe është nisur drejt familjes Filopati mbrëmjen e djeshme, ku ndodhej dhe ish-bashkëshortja e tij. Në derën e shtëpisë ka dalë vëllai i kësaj të fundit, Vladion Filopati, i cili është konfliktuar fillimisht me Kolecajn.

Më pas ka dalë dhe Esmeralda e cila është përfshirë në konflikt. Në këtë moment, Fatmir Kolecaj ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të vdekur në oborr të shtëpisë, ish-bashkëshorten Esmeralda, dhe ish-kunatin e tij Vladion Filopati. Kujtojmë se viktima Esmeralda Filopati ishte nënë e tre fëmijëve.

Fatmir Kolecaj, ka qenë i dënuar me burg më parë, për dhunë në familje dhe njihej si një person problematik.

Më herët Fatmir Kolecaj, i cili tashmë është në kërkim nga policia, ka tentuar të vrasë me mjet prerës Esmeraldën. Këtë të fundit, e kanë shpëtuar banorët e fshatit disa herë. Burime për Mapo.al bëjnë me dije se kjo ishte dhe arsyeja e divorcit mes çiftit.

Njoftimi i Policisë:

Vijon krehja e zonës për lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e autorit të dyshuar të vrasjes së dyfishtë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, në Kodër Rrëshen.

Forcat RENEA, FNSH dhe strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë kanë vijuar pa ndërprerë kontrollin e territorit dhe të vendeve të dyshuara ku mund të fshihej autori i dyshuar i ngjarjes.

Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e prokurorisë ka kryer të gjitha veprimet procedurale dhe dokumentimin e ngjarjes.

Për të bërë të mundur kapjen sa më parë të autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje, Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë vë në dispozicion 5 milion lekë për këdo që jep informacion të saktë mbi vendndodhjen e autorit.

Cilido që disponon informacion të vlefshëm për autorin e dyshuar, shtetasin Fatmir Kolecaj, 47 vjeç, banues në fshatin Zejmen, Lezhë, të telefonojnë në numrin 069 41 06 449 dhe në numrin pa pagesë 112 apo në Komisariatin Digjital, duke i siguruar anonimat të plotë dhe të sigurt.