Një person është vrarë të mërkurën mbrëma në “Rrugën C”, në Prishtinë, njoftoi Policia e Kosovës.
Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, i tha KOHËS se rasti ka ndodhur rreth orës 20:00, ku ka pasur gjuajtje me armë zjarri.
“Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete. Policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore me qëllim identifikimin dhe lokalizimin e të dyshuarve të implikuar në rast”, thuhet në njoftimin e Ahmetit.
KOHA siguroi pamje të Policisë dhe ambulancës që shkonin në vendin e ngjarjes.
Policia njoftoi më pas se më larg vendit të ngjarjes është gjetur një veturë e përfshirë nga flaka, që dyshohet se është shfrytëzuar nga të dyshuarit e përfshirë në rast.