Më shumë se një muaj në këtë vend kishte qëndruar e parkuar vetura e familjes së Shaban Kurtajt.
Por natën e 6 majit, vetura e tipit Audi A8 do të konfiskohej përmes një merimange në rrethana të paqarta, raporton KTV.
Kanë kaluar 10 ditë qëkur familja Kurtaj nuk po arrin ta gjejë veturën e vajzës së saj, e cila për shkak të disa problemeve teknike, kishte qëndruar në parkingun e lagjes Kalabria në Prishtinë.
E në pamjet, të cilat i ka siguruar KTV-ja, shihet se natën e 6 majit, përmes një merimange, bartet kjo veturë me ngjyrë të zezë.
Pas ngarkesës, i njëjti kamion, i cili kryen shërbimin e merimangës, e bart edhe veturën e familjes Kurtaj.
Pasi në mëngjes nuk e gjeti veturën në parking, Kurtaj vrapoi nëpër disa lokacione, ku mbahen veturat e konfiskuara, por nuk e gjeti atë.
Policia e Kosovës ka mohuar se vetura është konfiskuar nga ana e tyre për ndonjë arsye.
Derisa, përmes një përgjigjeje me email, ka thënë se tashmë ka arrestuar një person për rastin e raportuar si vjedhje e veturës.
KTV-ja ka kontaktuar edhe me kompaninë “Besa Call”, e cila e kishte bartur veturën. Avni Hasani nga kjo kompani ka konfirmuar vetëm se me kërkesën e një pronari atë natë kishin marrë një veturë me merimangë në këtë lokacion.
Personi që kishte kërkuar bartjen e veturës i kishte prezantuar atij dokumentin e pronësisë së veturës.
Mirëpo, Hasani ka refuzuar të japë më shumë detaje për shkak të, siç ka thënë ai, hetimeve që janë duke u bërë nga ana e policisë.
Rrethanat mbeten të paqarta, por në rast se verifikohet si vjedhje, atëherë kjo do të cilësohej si vjedhja më e organizuar e një veture luksoze.