Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Vdiq një 18-vjeçar në një aksident në magjistralen Ferizaj-Gjilan

Një person ka vdekur ndërkaq dy të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur në orët e para të së dielës, në magjistralen Ferizaj-Gjilan.

Policia e Kosovës, drejtoria në Ferizaj ka bërë të ditur se personi që ka humbur jetën është A.Z., i moshës 18-vjeçar.

Siç ka njoftuar Policia, aksidenti ka ndodhur saktësisht rreth orës 02:55, në afërsi të udhëkryqit që çon për në fshatin Mirosale, ndërkohë që në aksident janë përfshirë një veturë në lëvizje në të cilën ishin tre persona, dhe një kamion i parkuar.

“Deri te aksidenti dyshohet të ketë ardhur, kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën magjistralen Ferizaj-Gjilan dhe posa arrin në afërsi të udhëkryqit që çon për në fshatin Mirosale, për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit, rruga me kthesë, drejtuesi humb kontrollin mbi automjet, kalon në anën e majtë të rrugës, drejtimi i lëvizjes, godet kanalin rreth rrugës, duke u rrokullisur disa herë dhe del jashtë rrugës 68 metra dhe përfundon duke e goditur një automjet –kamionet me targa vendore e cila ishte e parkuar në oborrin e një shtëpie private që ishte skajit të rrugës kryesore. Si pasojë e këtij aksidenti të komunikacionit, përvec dëmeve të shkaktuara materiale në të dy automjetet, humb jetën pasagjeri A.Z ( M/K), i moshës 18 vjeçar, ( vdekja e të cilit është konfirmuar nga mjekët në Qendrën Emergjente në Spitalin Rajonal në Ferizaj) , ndërsa lëndime trupore pësojnë, drejtuesi i automjetit A.Z ( M/K) i moshës 27 vjeçar dhe pasagjeri tjetër F.Z (M/K) i moshës 24 vjeçar, të cilët pasi kanë marrë ndihmën mjekësore në Qendrën Emergjente në Ferizaj, të njëjtit për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, ku dhe po trajtohen atje”, thuhet në njoftim.

Një aksident tjetër me fatalitet në 24 orët e fundit në Kosovë, ka ndodhur në Gjakovë, ku ka mbetur e vdekur një grua e janë lënduar pesë të tjerë.