Një punëtor i KEDS-it ka vdekur sot në Skenderaj gjatë orarit të punës, pasi kishtë pësuar lëndime nga energjia elektrike.
Rastin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Avni Zaiti.
Ai ka thënë se bëhet fjalë për një 53-vjeçar i cili ka vdekur në Spitalin Rajonal të Mitrovicës si pasojë e lëndimeve.
“Rreth orës 17:30 të datës 21 korrik 2021, është raportuar se në rrugën "Marie Shllaku" në Skenderaj viktima rreth 53 vjeçar, kishte pësuar lëndime nga rryma elektrike. Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë, ndërsa më vonë nga autoritetet spitalore është raportuar se viktima ka vdekur. Njësitë relevante policore kanë dalë në vendin e ngjarjes. Trupi i pa jetë i viktimës dërgohet në IML për obduksion”, ka bërë të ditur Zaiti.
Për të ndjerin ka shkruar në Facebook edhe kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari i cili ka bërë të ditur se ai ishte punëtor i KEDS-it.
“Me dhimbje e pikëllim mora lajmin për vdekjen në mënyrë tragjike të shokut e mikut tim, Idriz Prekazi. Si punëtor i vyer i KEDS-it, Idrizi sot brenda orarit zyrtar të punës, duke i shërbyer vendit dhe qytetarëve, vdiq në mënyrë tragjike pas një incidenti me energji elektrike”, ka shkruar Jashari.
Rastin për KOHËN e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.
Ai ka thënë se janë të tronditur nga humbja e kolegut ndërkohë që u ka shprehur ngushëllime familjarëve për humbjen e tij.
“Jemi të tronditur nga humbja e kolegut tonë. Bashkëndjejmë me familjen për këtë humbje të madhe”, ka thënë Buzhala.