Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën ka arrestuar një të dyshuar për kontrabandë më mallra.
Të dyshuarin Policia kishte tentuar ta ndalonte për kontroll të martën në fshatin Korbliq të Kaçnikut, derisa drejtonte një automjet kombi, pasi kishte dyshime për kontrabandë me mallra.
Por ai nuk ishte ndalur dhe duke ikur kishte goditur veturën e Policisë, e cila thuhet se ishte rrokullisur.
Tre zyrtarët policor që gjendeshin në veturë thuhet se kanë pësuar lëndime trupore.
Ai dyshohet edhe për sul ndaj zyrtarëve policorë.
“I dyshuari nuk iu është bindur urdhrit të policisë dhe gjatë ndjekjes, në të njëjtin fshat, me automjetin e tij ka goditur automjetin zyrtar të policisë, i cili më pas është rrokullisur dhe ka përfunduar jashtë rrugës. Si pasojë, tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime të lehta trupore. Pas trajtimit në spitalin rajonal të Gjilanit, ata janë liruar”, thuhet në njoftim.
Automjeti i dyshuar thuhet se është gjetur i braktisur pranë kufirit me Maqedoninë e Veriut, i ngarkuar me mall të kontrabanduar, i cili sipas Policisë, është konfiskuar dhe i është dorëzuar Doganës së Kosovës për procedura të mëtejshme ligjore.
“Mallrat e sekuestruara përfshijnë: 270,000 copë (13,500 kuti) cigare “Grand”, 1,600 kg fara kungulli të pjekura, 460 kg fara luledielli të pjekura, 100 kg fara braziliane, 40 kg ananas të tharë, 20 kg banane të thara, 113.4 kg brusnica të thara”, thuhet në njoftim.
Sipas vlerësimeve të tregut thuhet se mallrat e sekuestruara kapin shumën prej 23,794 euro deri 29,877 euro.
I dyshuari është arrestuar pastaj të mërkurën.
“Më datën 03.09.2025, rreth orës 14:00, i dyshuari M.S. (M/K), 46 vjeç, është arrestuar nga Policia Kufitare e Rajonit Lindje. Pas intervistimit nga hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve në Ferizaj dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë për procedura të mëtejshme hetimore”, thuhet në njoftim.
Prokuroria kompetente ka cilësuar rastin si “Sulm ndaj personave zyrtarë”, ndërsa për kontrabandën me mallra hetimet do të zhvillohen nga Dogana e Kosovës në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kufitare.