Kronikë

U ngrihet aktakuzë 11 personave për rrahjen masive në Prizren ku u plagos një person

Foto: Koha / Ilustrim

Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve M.U., F.M., A.B., A.B., J.B., S.M., L.M., A.M., I.B., A.B., dhe I.S., lidhur me rrahjen në Prizren ku kishte mbetur një i plagosur.

Ndaj tyre, sipas prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar për veprat “Lëndimi i rëndë trupor” “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, "Lëndimi i lehtë trupor”, “Pjesëmarrja në rrahje”, “Sulmi”.

Sipas aktakuzës, M.U., më 6 maj në Mamushë, saktësisht në hapësirën e jashtme të objektit për shitjen e karburanteve “P.P.”, me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personit tjetër, e sulmoi me armë zjarri të dëmtuarin I.B., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshjeje rreth një borxhi në mes të pandehurit A.B., dhe F.M., përfshihen në rrahje 11 të pandehur nga të dyja palët, ku gjatë përleshjes i pandehuri M.U., i armatosur me armë- revolver, shtiu në drejtim të dëmtuarit të cilin e goditi në pjesën e këmbës së djathtë.

“I pandehuri, F.M., gjatë përleshjes, në mënyrë të paautorizuar përdorë armën e zjarrit – pistoletën, me të cilën me qëllim të frikësimit, shtënë disa herë në drejtimin lartë në ajër, me ç’ rast të pranishmëve u shkakton frikë, ankth dhe pasiguri”, njoftoi më tej prokuroria.

I pandehuri, A.B., me qëllim që t’ i shkaktonte lëndime trupore personit tjetër, me pjesën e dorezës së armës e goditi dy herë në kokë të dëmtuarin S.M., me ç’ rast të dëmtuarit i shkaktoi lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme për shëndetin.

I pandehuri, J.B., me qëllim që t’ i shkaktoj lëndime trupore personave tjerë, merr pjesë në rrahje, e cila rezultoi me lëndim të rëndë trupor.

Të pandehurit: F.M., S.M., L.M., A.M., A.B., I.B., dhe A.B., me qëllim që t’ i shkaktojnë lëndime trupore personave tjerë, marrin pjesë në rrahje, njoftoi prokuroria.

Kurse, i pandehuri, I.B., me qëllim që ta lëndoj tjetrin, me dashje e sulmoi të dëmtuarin/pandehurin A.B.,

Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.​