Kronikë

Theret me thikë një nxënës i shkollës teknike në Pejë

Pas një përleshjeje, një nxënës i klasës së dhjetë të shkollës së mesme teknike “Shaban Spahija” në Pejë, të mërkurën, ka therur me thikë një nxënës tjetër të kësaj shkolle, gjithashtu i klasës së dhjetë.

Rasti ka ndodhur afër shkollës, por jashtë hapësirës së saj, ku edhe kanë mbetur gjurmët e gjakut. Nxënësi i lënduar është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës për tretman mjekësor, e nga ku, siç tha zëdhënësi i këtij spitali, Naim Sahiti, nxënësi i lënduar është dërguar urgjentisht për në QKU në Prishtinë, raporton Koha Ditore.

“Pacienti është transferuar për në QKU në Prishtinë. Plagën nga therja e ka në këmbë, por janë prekur arteriet e gjakut dhe ka pas gjakderdhje të madhe. I është dhënë tretmani i shpejtë për mbylljen e plagës dhe ndalimin e gjakderdhjes, por për shkak se ishte rast i komplikuar, është dërguar për në Prishtinë për intervenim të mëtutjeshëm mjekësor”, tha Sahiti.

Rastin e ka konfirmuar edhe policia në Pejë, sipas të cilës për këtë rast janë arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale lëndim i rëndë trupor.

“Stacioni Policor i Pejës është informuar për një incident që ka ndodhur në rrugën ‘Esat Mekuli’ në Pejë, i cili u cilësua si lëndim trupor, ndaj një të mituri, i cili kishte pësuar lëndime nga mjeti i mprehtë (thikë). Njësiti policor nga stacioni policor në Pejë menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes në ora 9.45 ku edhe është gjetur viktima në vendin e ngjarjes, i plagosur nga mjeti i mprehtë në këmbën e majtë në pjesën e gjurit. Me autoambulancë është dërguar në emergjencën e Spitalit Rajonal të Pejës, e pastaj nën përkujdesje mjekësore është dërguar për në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtejmë. Sipas mjekëve gjendja shëndetësore e viktimës është stabile dhe viktima është jashtë rrezikut për jetë”, thuhet në informatën e policisë për rastin.

Sipas policisë, nga njësitë përkatëse të policisë janë ndërmarrë masat e nevojshme të menjëhershme dhe dy persona të dyshuar të moshës së mitur janë arrestuar, njëri për ‘shkaktim të lëndimit të rëndë’, ndërsa tjetri për ‘fshehjen e mjetit’, me të cilin ishte shkaktuar lëndimi. “Për rastin është informuar prokurori dhe me vendim të tij, personi i parë i dyshuar ndalohet për veprën penale ‘lëndim i rëndë trupor’, ndërsa i dyshuari i dytë për veprën e ‘dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprës penale’ lirohet në procedurë të rregullt. Hetuesit janë duke punuar në koordinim të plotë me prokurorin e shtetit për të sqaruar të gjitha rrethanat e këtij rasti”, thotë policia e Pejës.

Viktima si dhe i dyshuari për këtë therje, janë nxënës të klasës së dhjetë, por jo të njëjtën klasë. Sipas drejtorit të kësaj shkolle, Arben Gjikolli, që të dy nxënësit, që janë nga dy fshatra të Pejës, nuk kanë pas nevojë farë të ishin sot aty afër shkollës, pasi, sipas tij, ata kanë qenë të pezulluar nga shkolla dy javë më parë.

“Jashtë oborrit të shkollës ka ndodh rasti. Dhe ata dy nxënës nuk kanë pas nevojë me qenë aty fare dhe me ardh në shkollë sepse ata para dy jave janë pezulluar për një muaj nga shkolla, për shkak të numrit të madh të mungesave të paarsyeshme”, tha Gjikolli.