Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Tentoi t’i korruptonte policët kufitarë në Jarinjë me 10 euro, iniciohet rast ndaj të dyshuarit

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se të martën në pikën kufitare në Jarinjë ka ndaluar një kamionetë të tipit IVECO ma targa të Kosovës që po transportonte vetura të huaja.

Policia ka bërë të ditur se gjatë kontrollit, vozitësi i kamionit me qëllim “të dhënies së ryshfetit” brenda lejes së qarkullimit kishte vendosur 10 euro.

“Zyrtarët policorë menjëherë kanë ndërmarrë veprime ligjore dhe me autorizim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar në procedurë të rregullt rasti ‘Dhënie e ryshfetit’, me çrast edhe kartëmonedha sekuestrohet për procedura të mëtejme”, thuhet nga Policia e Kosovës.

Në një rast tjetër në pikën kufitare në Merdar, rreth orës 11:00 është ndaluar një veturë Citroen me targa të Serbisë. Gjatë kontrollit i janë gjetur dy ora dore, shtatë parfume, gjashtë palë këpucë, një palë tuta,11 palë pantallona, dy xhaketa si dhe 2 këmisha. Malli ishte i padeklaruar dhe pa dëshmi të blerjes.

“Malli është sekuestruar nga Dogana e Kosovës për vlerësim të mëtejme dhe procedura ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.