Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Burgim i përjetshëm për Murselin e Plavën, 30 vjet për Kokallën

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë mirëpret dënimet për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt

1 muaj më parë / 21 pri 2026 18:06
Naim Murseli

Photo: Driton Paçarada

Ekipi i Kombeve të Bashkuara në Kosovë ka mirëpritur aktgjykimin e të martës në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. 

Naim Murseli e Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore e Prishtinës, ndërsa Kushtrim Kokalla me 30 vjet burgim. 

“Vendimi i sotëm i Gjykatës Themelore në Prishtinë sjell drejtësi në rastin e Liridona Ademajt dhe përgjegjësi për një krim që e tronditi thellë Kosovën. Ai dërgon një mesazh të qartë se femicidi dhe dhuna ndaj grave do të përballen me një përgjigje të vendosur sipas ligjit. Ne qëndrojmë pranë fëmijëve të saj, familjes së saj dhe të gjithë atyre që janë ndikuar, dhe ritheksojmë nevojën për veprim më të fuqishëm dhe të qëndrueshëm për të parandaluar dhunën ndaj grave dhe vajzave dhe për të siguruar mbrojtje dhe llogaridhënie”, thuhet në reagimin e Stephen O’Malleyt, koordinator për zhvillim i Kombeve të Bashkuara. 

Ekipi i Kombeve të Bashkuara ka ritheksuar angazhimin për t’i mbështetur institucionet e Kosovës në avancimin e parandalimit, mbrojtjes dhe qasjes në drejtësi, si dhe forcimin e përpjekjeve të koordinuara për t’i dhënë fund të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave në Kosovë.
 

Avokati i familjes Ademaj paralajmëron apelimin e dënimit të Kokallës

1 muaj më parë / 21 pri 2026 14:12
Leutrim Syla

"Sot drejtësia foli" - Leutrim Syla, avokat

Leutrim Syla, avokat i familjes së Liridona Ademajt të vrarë, ka paralajmëruar apelimin e dënimit prej 30 vjetësh burgim ndaj Kushtrim Kokalla.

Në konferencën për shtyp pasi Gjykata dënoi me burgim të përjetshëm Naim Murselin dhe Granit Plavën, avokati Syla ka thënë se vendimi u mor konform provave.

“Sot drejtësia foli”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se pos dy dënimeve me burgim të përjetshëm, dënimi prej 30 vjetësh ndaj Kokallës është “kuazi burgim i përjetshëm”.

“Edhe pse si i tillë nuk parashihet me kod pasi ishte vetëm 30 vjet në kohëzgjatje, por që duke pasur të drejtën të apelojmë edhe në Apel, konform lartësisë së dënimit, konsideroj se do të bëjmë ankesë”, ka thënë ai.

Syla ka vlerësuar mbështetjen e mediave dhe të popullit për familjen. Ai ka thënë se për punën më të madhe në këtë rast duhet vlerësuar hetuesit policorë që “vërtetuan menjëherë se s’bëhej fjalë për grabitje, por vrasje të rëndë”.

VIDEO:

Vëllai i Liridona Ademajt: Ky vendim është edhe për fëmijët që s’do ta shohin më nënën e tyre

1 muaj më parë / 21 pri 2026 14:09
Leonard Ademaj

Leonard Ademaj

Vëllai i Liridona Ademajt, Leonard Ademaj, pas dënimit me burgim të përjetshëm për Naim Murselin dhe Granit Plavën  dhe 30 vjet burgim për Kushtrim Kokallën, ka thënë se vendimi ua ka lehtësuar sado pak dhimbjen.

Ka deklaruar se u vërtetua edhe sot ajo që familja e ka thënë nga fillimi, se Murseli bashkë me Kokallën e kanë zgjedhur Plavën si vrasës e bashkë të gjithë e kanë organizuar vrasjen.

Sipas tij, ky vendim nuk është vetëm për motrën e tij  të ndjerë, por edhe për fëmijët dhe gjithë popullin.

“Ajo që u vërtetua sot është ajo që kemi thënë nga fillimi që Naimi së bashku me Kushtrimin duke e zgjedhur Granitin si vrasës e kanë organizuar këtë krim. Ky vendim nuk shkon vetëm për ne, por edhe për Liridonën dhe fëmijët e saj që nuk do ta shohin më nënën  e tyre. Ky vendim është edhe për ata që mendojnë që ta bëjnë një krim të tillë. Sa i përket Kushtrim Kokallës, besoj që gjykata e ka parë të drejtë ashtu. Sado pak ky vendim  na ka lehtësuar edhe neve, por është vendim që e kemi pritur të gjithë, jo vetëm familja”, ka thënë ai.

VIDEO:

Vrasja e Liridona Ademajt: Murseli e Plava dënohen me burgim të përjetshëm, 30 vjet për Kokallën

1 muaj më parë / 21 pri 2026 13:46
Naim Murselin, Granit Plavën dhe Kushtrim Kokallën

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Liridona Ademajt, Naim Murselin e Granit Plavën. Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim. Vendimi është marrë në seancën e mbajtur të martën.

Murseli, bashkëshorti i Ademajt, Plava e Kokalla, të cilët nuk kanë qenë prezent në sallë kur është shpallur vendimi, akuzoheshin për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të 2023-ës.

Foto: Driton Paçarada/KOHA

Të tre sipas aktakuzës ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, në aktakuzë thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.

Tom Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tri vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli u pat deklaruar i pafajshëm. Plava nuk u pat deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla pati kërkuar kohë për t'u konsultuar me mbrojtjen.

VIDEO:

Sot shpallet aktgjykimi për vrasjen e Liridona Ademajt

1 muaj më parë / 21 pri 2026 08:15
Naim Murseli

Photo: Driton Paçarada

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë pritet të shpallet aktgjykimit për rastin e vrasjes së Liridona Ademaj, ku të akuzuar janë bashkëshorti i saj Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla.

Vendimi pritet të shpallet në 13:30, ndërkohë që Murseli, Plava e Kokalla nuk do të marrin pjesë në shpallje.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, në fjalën përfundimtare, për të tre të akuzuarit për vrasjen që ndodhi në nëntor të vitit 2023, ka  kërkuar dënim me burgim të përjetshëm.

Prokurorja e rastit, Javorka Perlinçeviq ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është argumentuar që të akuzuarit janë marrë vesh për vrasjen e Ademajt.

Burgim të përjetshëm për të akuzuarit ka kërkuar edhe familja Ademaj. Vëllai i Liridonës Leonardi, ka thënë se gjatë shqyrtimit gjyqësor është vërtetuar për planifikimin e vrasjes.

Ndërkohë mbrojtësi i të akuzuarit Naim Murseli, avokati Shemsedin Piraj ka deklaruar se kërkesa e Prokurorisë për dënim me burgim të përjetshëm është e ashpër.

Fjalën përfundimtare të avokatit të tij e ka përkrahur i akuzuari Naim Murseli. Ai ka thënë se po akuzohet për një krim që nuk e ka kryer dhe nuk ka qenë në dijeni për të.

Sipas aktakuzës, Murseli, Plava dhe Kokalla janë dakorduar paraprakisht që vrasja e Liridona Ademajt të kryhej nga i akuzuari Plava, me marrëveshjen që Murseli t'ia paguajë atij 30 mijë euro.

I gjithë plani për vrasjen, sipas aktakuzës, është bërë nga bashkëshorti i viktimës, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare dhe martesore, për të cilin shkak edhe ka lindur dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë theksohet po ashtu se plani për vrasjen e Liridona Ademajt fillimisht i është shpalosur Kokallës, i cili më pas e ka gjetur Plavën dhe e ka njoftuar atë me Murselin.

E vetë Naim Murseli, sipas aktakuzës, e ka siguruar armën me 20 fishekë nga i akuzuari Tom Dodaj, me të cilën e ka kryer vrasjen.

Dodaj, i cili ua ka shitur armën Murselit e Plavës për 280 euro ka pranuar fajësinë. Themelorja e ka dënuar me 5 vjet burgim, e më pas Apeli ia ka ulur në tre vjet.

Në seancën fillestare më 31 janar 2025, Murseli është deklaruar i pafajshëm. Plava nuk është deklaruar rreth fajësisë, ndërsa Kokalla ka kërkuar kohë për t'u konsultuar me mbrojtjen.