Në repartin e ortopedisë të spitalit të përgjithshëm të Pejës po vazhdojnë të qëndrojnë edhe shtatë gra të lënduar nga aksidenti i djeshëm me autobusë, i cili ndodhi në orën 13:40 në rrugën Istog -Pejë, përkatësisht në fshatin Jabllanicë e Vogël.
Kirurgu kujdestar, Gëzim Devolli për KosovaPress bëri të ditur se nga 32 të lënduarit, 25 prej tyre janë liruar, ndërsa shtatë persona vazhdojnë të qëndrojnë të shtrirë për shkak të lëndimeve që kanë marrë.
Sipas tij, gjendja e pacientëve është stabile dhe shumë shpejt pritet që edhe ata të lirohen për në shtëpi.
“Gjendja sot është plotësisht nën kontroll nga 32 pacientë të cilët kanë qenë dje në emergjencën e spitalit tonë për tëkërkuar ndihmë, 25 janë liruar, vetëm shtatë aktualisht janë të hospitalizuar, nga të cilët dy kanë fraktura të ekstremiteteve të poshtme, një pacient tjetër ka frakturë në ekstremitetin e sipërm dhe katër të tjerë trajtohen për shkak të ndrydhjeve nëpër pjesë të ndryshme të trupit...”, u shpreh ai.