Shtatë persona janë arrestuar të enjten, disa nën dyshimin se kanë kryer disa vepra penale dhe disa të tjerë pasi që janë të kërkuar nga gjykatat.
Njëri prej të dyshuarve është arrestuar në Obiliq. Ai deri tash ka qenë në arrati, ka njoftuar Policia nëpërmjet një komunikate të lëshuar në rrjetet sociale. Sipas njoftimit, ai ka qenë i dënuar me pesë vjet burgim për veprën penale “Sulm seksual”, dhe kërkohej nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka nxjerrë urdhëresë për kapjen e tij.
“Pas arrestimit është dërguar në vuajtje të dënimit”, thuhet në njoftim.
Ky operacion policor ka rezultuar edhe me arrestimin e një të dyshuari për të cilin ekzistonte urdhëresa e Themelores në Prishtinë për vuajtjen e dënimit prej 20 ditësh.
Arrestime të tjera me urdhëresë të Gjykatës janë kryer nga tri stacione të kryeqendrës.
“Në tri raste të ndara tre persona janë arrestuar dhe të njëjtit janë paraqitur para gjykatës kompetente për t’u proceduar më tej në përmbushje të dënimit”, thuhet në njoftimin e policisë.
Edhe dy persona të dyshuar janë identifikuar dhe arrestuar për disa raste të vjedhjeve, të cilët janë dërguar në mbajtje për 48-orë.