Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Shtatë raste të dhunës në familje u raportuan për 24 orë – viktima gratë

Të paktën shtatë raste të dhunës në familje me gratë që janë viktima të burrave janë raportuar në Policinë e Kosovës në 24 orët e fundit, bazuar në raportin ditor. Duke nisur nga rajoni i Prishtinës, janë disa raste të dhunës në familje me gratë që janë ankuar se kanë përjetuar dhunë fizike e psikike nga burrat.

Në rastin e parë, në Fushë Kosovë, një grua ka raportuar në polici se pas një mosmarrëveshjeje është sulmuar nga bashkëshorti. Ai është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Në mbajtje është dërguar edhe një person tjetër që më 13 gusht dyshohet se i kishte dërguar mesazhe me përmbajtje kërcënuese ish-bashkëshortes së tij.

Në Lipjan një grua ka raportuar bashkëshortin për dhunë fizike e psikike. Në këtë rast, i dyshuari është liruar dhe rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

Në mbrëmjen e së hënës, në Prishtinë është arrestuar një person që dyshohet se e ka kryer veprën e dhunës në familje. Duke mos u dhënë detaje për rastin, Policia ka njoftuar se ai është dërguar në mbajtje.

Në Prishtinë është regjistruar edhe një rast tjetër që është cilësuar si “mospërfillje e gjykatës”. Në rastin në fjalë, një grua ka raportuar se ish-bashkëshorti me të cilin është në proces të shkurorëzimit i ka marrë dy fëmijët e tyre dhe s’i ka kthyer në kohën e caktuar sipas vendimit të Gjykatës. Për këtë është iniciuar rasti.

Kanosje brenda familjes është raportuar edhe në Suharekë. Aty një grua ka raportuar se pas një mosmarrëveshje me bashkëshortin, i dyshuari përmes telefonit e ka kërcënuar. Lidhur me rastin, i dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje.

Edhe Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit Kronikë Dhjetë raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit

Dhunë në familje ka pasur edhe në Pejë. Një burrë aty ka sulmuar një grua duke i shkaktuar lëndime trupore. Pas intervistimit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Në Vushtrri, është arrestuar një burrë që dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes e cila ka pranuar trajtim mjekësor. Palët janë intervistuar deh me vendim të prokurorit rasti vazhdon në procedurë të rregullt.

Çështjet e dhunës në familje kanë nxitur reagim të madh shoqëror dy ditët e fundit, pas vrasjes së një 18-vjeçareje në Ferizaj, e që ishte dërguar pa shenja jete në spital nga dy të dyshuar, që më pas kishin ikur nga vendi i ngjarjes. Policia ka kapur njërin prej tyre, ndërsa tjetri është në arrati. Personi që gjendet në arrati kishte bashkëjetuar me viktimën e cila, sipas familjes, në spital ishte dërguar me lëndime të mëdha në nofull e në sy. Të dy të dyshuarit ishin emra të njohur për organet e rendit.