Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Shpëtohen 4 të rinjtë e bllokuar në malet rreth Sotirës

Ka përfunduar me sukses operacioni i Forcave të Ndërhyrjeve të Shpejtë dhe Zjarrfikësve për të shpëtuar 4 alpinistë të cilët ishin bllokuar në malet rreth fshatit Sotirë, në Dropull të Sipërm.

Siç mësohet, katër personat ishin bllokuar që prej ditës së djeshme dhe një nga personat që ka ndihmuar në këtë operacion ka qenë dhe një banor i zonës, Lefter Foga, një 70-vjeçar që e njihte mirë rrugën.

Prefekti i Gjirokastrës, Astrot Aliaj gjatë një interviste për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, u shpreh se ka përfunduar me sukses operacioni për shpëtimin e 4 personave që kishin mbetur të bllokuar nga dita e djeshme në malet rreth fshatit Sotirë.

“Vlen të theksohet organizimi i këtij operacioni, si nga ajri me helikopter, por edhe nga shërbimi i policisë kufitare, FNSH dhe zjarrfikës”, tha ai.

“Tre të rinjtë u nisën nga Gjirokastra rreth orës 10:00 të mëngjesit me dëshirën për të kaluar një ditë ndryshe, një aventurë malore. I katërti iu bashkua në një fshat aty pranë, pasi ishte dhe njohës i rrugës. Por gjatë rrugës, udhërrëfyesi humbi drejtimin dhe të rinjtë mbetën të bllokuar. Rreth orës 21:50 në mbrëmje jemi njoftuar për këtë situatë dhe ramë dakord për nisjen e operacionit në mëngjes. Familjarët e të rinjve u paraqitën në polici në orët e para të mëngjesit, ku u informuan mbi situatën. Rreth orës 10:00 të mëngjesit u lajmërua edhe emergjenca civile, që na mundësoi një helikopter për operacionin. U lajmërua zjarrëfikësja, si dhe spitali. Gjatë udhëtimit me helikopter kishim edhe mjekë, si dhe njohës të zonës. Bëmë disa herë tentativa për t’i marrë me helikopter, ku kishim dhe ushqime, por ishte e pamundur. Prandaj, u vendos të ndiqej rruga tokësore. Një fshatar i zonës, insistoi të vinte me ne pasi njihte rrugën. Ishte i vetmi që i njihte ato shtigje të vështira. Zotëria, i quajtur Lefter Goga 70 vjeç, drejtoi grupin e shpëtimit deri te zona ku kishin ngecur dhe me shumë vështirësi arritën të zbresin malin me sukses, duke e mbyllur me sukses operacionin. Të rinjtë u ushqyen dhe u kontrolluan nga mjekë për ndonjë problem shëndetësor, por fatmirësisht gjendja e tyre ishte e mirë dhe helikopteri u nis drejt Tiranës. Të rinjtë falënderuan përzemërsisht 70-vjeçarin, që në një moshë të madhe mori këtë iniciativë. Gjithashtu ata falënderuan dhe grupin e shpëtimit”, tregon për ATSH-në Prefekti i Gjirokastrës, Astrit Aliaj.

Ndërkaq, Policia e Shtetit ka dhënë detaje për këtë rast. Të rinjtë, sipas Policisë, kishin shkuar në malin e fshatit Sotirë, Njësia Administrative Dropull i Sipërm, ndërsa kërkuan ndihmë pasi kishin mbetur të bllokuar në vendin e quajtur “Gështenjat e djegura”, në një gropë midis kodrash nga ku nuk mund të dilnin.

Edhe Ekipet e shpëtimit nxjerrin katër persona të bllokuar në një shpellë të përmbytur në Laos Botë 1 muaj më parë Ekipet e shpëtimit nxjerrin katër persona të bllokuar në një shpellë të përmbytur në Laos

Ata ishin nisur ditën e djeshme, me makina deri në fshatin Selo dhe më pas filluan ekspeditën me këmbë gjate natës.

“Nga terreni i vështirë e malor dhe me dëborë, ata u bllokuan midis disa kodrave në vendin e quajtur ‘Gështenjat e djegura’. Në vendngjarje shkuan shërbimet e Emergjencave Civile, shërbime policore të DVP Gjirokastër, DRKM Gjirokastër, Delta Forcë, si dhe një helikopter. Për shkak të terrenit, helikopteri nuk mundi të vepronte dhe ndërhynë Delta Forcë e Zjarrfikëset. Shërbimet e Delta Forcë dhe Zjarrfikësit bënë të mundur nxjerrjen e 4 personave”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ata aktualisht janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe jashtë rrezikut.