Në zonën industriale Prishtinë - Fushë Kosovë të hënën në mbrëmje është shembur një pllakë nga një ndërtesë që është në ndërtim e sipër.
Lajmin e ka konfirmuar Policia e Kosovës. Zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka thënë se në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore dhe se nuk ka persona të lënduar.
“Rreth orës 20:30 kemi pranuar informatën se në rrugën ‘Elez Berisha’ në zonën industriale në Fushë Kosovë, është shembur një pllakë nga një ndërtesë e cila është në ndërtim e sipër. Në vendin e ngjarjes menjëherë kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për persona të lënduar. Lidhur me këtë ngjarje janë njoftuar institucionet kompetente”, ka thënë ajo për Koha.net.
23:17 - Përmes një reagimi për media, Komuna e Fushë-Kosovës ka bërë me dije se objekti i shembur nuk ka qenë në kompetencat e saj, por të Komunës së Prishtinës.
“Ky lajm është i pasaktë dhe i pavërtetë dhe është i habitshëm përse nuk verifikohen informacionet dhe të dhënat por ato plasohen në mënyrë të pasaktë dhe të pavërtetë. Objekti është i Komunës së Prishtinës”, thuhet në reagimin e Komunës së Fushë Kosovës.
Objekti ndodhet në Zonën Industriale në mes të Prishtinës dhe Fushë Kosovës, dhe raportimi i Koha.net është bazuar në njoftimin e Policisë së Kosovës.