Tre automjete janë dëmtuar në drejtim të Vërmicës shkaku i shembjes së gurëve, ka bërë të ditur për KTV zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha.
Ai ka konfirmuar se nuk ka persona të lënduar nga ky rast.
“Sipas informacioneve fillestare të pranuara nga zyrtarët tanë në terren, sonte rreth orës 17:30 në autostradë, afër kilometrit 5/6 në të drejtim të Vërmicës, është raportuar se si pasojë e shembjes së gurëve tri automjete janë dëmtuar, derisa nuk është raportuar për ndonjë person të lënduar”, ka thënë Hoxha.
Ai shton se Njësia për Menaxhim dhe Kontroll të Autostradave të Policisë së Kosovës ka dal në lokacion dhe janë duke ndërmarr veprimet e nevojshme, përfshirë edhe me informimin e autoriteteve kompetente lidhur me gjendjen e rrugës/autostradës.
“Për ndonjë informacion shtesë do të njoftoheni në vazhdimësi nga kompetentët pas veprimeve të tjera në terren”, ka thënë Hoxha.
Derisa edhe Ministria e Infrastrukturës dhe Ambientit ka njoftuar se si pasojë e reshjeve të vazhdueshme, në autostradën “Ibrahim Rugova”, ka pasur rrëshqitje anësore të dheut.
Për pasojë, në njërin shirit rrugor në drejtim të Shqipërisë (në hyrje të Vërmicës), janë paraqitur vështirësi në komunikacion, me ç’rast disa makina që ndodheshin në atë pjesë në kohën kur ndodhi rrëshqitja kanë pësuar dëme të vogla materiale, por fatmirësisht nuk ka të lënduar në mesin e pasagjerëve.
Edhe
Aksident mes disa automjeteve afër pikës në Vërmicë, tetë të lënduar
Kompanitë e kontraktuara, në mbikëqyrje të përgjegjësve nga ministria, kanë intervenuar në vendin e ngjarjes dhe për shkaqe të sigurisë, njëri shirit, bashkë me atë ndihmës janë mbyllur për qarkullim. Vendi është sinjalizuar sipas standardeve të kërkuara dhe kompania do të mbetet në kujdestari gjatë gjithë kohës.
Bëjmë thirrje tek të gjithë pjesëtaret ne komunikacion, të shtojnë kujdesin gjatë qarkullimit në këtë aks rrugor, me qëllim të evitimit të dëmtimeve nga situata të ngjashme.
Ministri Lumir Abdixhiku, lut qytetarët që t’u përshtaten kushteve atmosferike, përderisa siguron se rrugët do të jenë të hapura në vazhdimësi për gjatë gjithë sezonit dimëror.