Kronikë

Së paku 10 të lënduar nga shpërthimi i bombolës në Ratkoc

Policia ka konfirmuar lëndimin e së paku 10 personave, sonte në mbrëmje, pas një shpërthimi në fshatin Ratkoc të Rahovecit.

Një bombolë ka shpërthyer në një lokal të fshatit.

“Me datë 18.01.2019 në ora 19:55 min, përmes telefonit Stacioni Policor në Rahovec ka pranuar një informacion se në fshatin Ratkoc në një lokal (qebaptore) “Te Dollari” ka ndodhur një shpërthim që dyshohet të jetë nga bombola gazi, nga ky shpërthim dyshohet se janë lënduar disa persona (rreth 10 persona të cilët janë dërguar në spitalin rajonal në Gjakovë), patrullat policore menjëherë janë dalë në vend të ngjarjes, kanë bërë sigurimin e vendit”, ka thënë për KTV-në, zëdhënësja rajonale e Policisë, Lirie Podrimja.

Ajo ka bërë të ditur gjithashtu se të lënduarit sipas mjekut janë për momentin jashtë rrezikut për jetë, por nëntë prej tyre po mbahen në trajtim mjekësor.

Mësohet se të lënduarit janë nga fshati Ratkoc dhe Dejnë.

KTV raporton se bombola ka shpërthyer në bodrum, me ç’rast i ka lënduar personat dhe disa vetura.

{gallery}