Shumë raste të rrahjeve dhe lëndimeve trupore janë raportuar në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës.
Në një rast, në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj është arrestuar një person pasi kishte sulmuar një tjetër, që ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.
Në rastin tjetër në rrugën “12 Qershori” të Ferizajt, dy viktima kanë kërkuar ndihmë mjekësore pasi kanë thënë se janë sulmuar me mjete të mprehta nga persona të panjohur. Viktimat janë dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm.
Lëndim trupor është raportuar edhe në Dragash. Aty pas një mosmarrëveshje, tre persona janë përleshur mes vete, ku si pasojë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor. Lidhur me rastin një i dyshuar është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje ndërsa dy të tjerët ende janë në trajtim mjekësor.
Në Istog janë arrestuar pesë persona pasi janë përleshur mes vete pas një mosmarrëveshje në trafik në rrugën “Nënë Tereza”. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor. Gjatë përleshjes janë përdorur edhe mjete të forta. Me urdhër të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.
Në një rast tjetër, në rrugën “Adem Jashari” të Pejës janë arrestuar dy persona pasi kishin sulmuar një tjetër. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit një i dyshuar është dërguar në mbajtje, ndërsa tjetri është liruar në procedurë të rregullt.