Policia e Kosovës ka njoftuar se të martën ka arrestuar një të dyshuar për përfshirje në rrjet ndërkombëtar të kontrabandimit me migrantë.
Aksioni gjatë të cilit është arrestuar sipas njoftimit të Policisë është zhvilluar në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI), nën autorizimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.
“Operacioni është zhvilluar në vazhdën e veprimeve intensive hetimore lidhur me rastin, pasi i dyshuari mashkull kosovar dyshohet se si pjesë e një rrjeti të organizuar kriminal ndërkombëtar, i cili shtrihet në disa shtete të Ballkanit dhe vende të Bashkimit Evropian, ka kryer veprën e lartcekur”, thuhet në njoftim.
Sipas hetimeve të deritanishme, thuhet se roli i të dyshuarit në këtë strukturë kriminale ishte rekrutimi i shoferëve, të cilët më pas i pajisnin me automjete, mjete financiare dhe harta të sakta të lëvizjes dhe të njëjtit ngarkoheshin me detyrën për të bartur migrantë ilegalë nga kufiri i Turqisë në Greqi (fillimisht në Selanik), për të vazhduar tutje tranzit përmes shteteve të tjera drejt Evropës.
Nga njësitë kompetente policore lidhur me rastin është realizuar edhe bastisja e banesës së të dyshuarit në Prishtinë, ku në cilësinë e provave materiale thuhet se janë gjetur dhe janë sekuestruar përkohësisht 1,760 euro si dhe fletë-transaksione të ndryshme financiare.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të prokurorit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh për procedura të mëtejshme ligjore.