Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia sekuestron 93 kg marihuanë në Prizren

Policia e Kosovës ka njoftuar se pas punës disamujore në terren, të premten ka zbatuar planin operativ “Dardha”, ku ka sekuestruar 93 kilogramë marihuanë në fshatin Tupec të Prizrenit.

Sipas njoftimit të Policisë, fillimisht në fshatin Tupec është ndaluar një veturë e tipit Mercedes me drejtues shtetas i Shqipërisë, i cili në tentativë për të ikur me këmbë, është arrestuar nga Policia.

“Pas arrestimit të të dyshuarit është bërë kontrollimi i automjetit me ç’rast janë vërejtur disa thasë me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Në vazhdën e zhvillimit të këtij operacioni policor është bërë dhe arrestimi i personit të dytë të dyshuar shtetas i Shqipërisë, i cili dyshohet se me një automjet të tipit Audi me targa të Shqipërisë i ka siguruar rrugën për lëvizje të dyshuarit të parë i cili po lëvizte me automjetin me narkotik”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Janë sekuestruar 181 paketime ku kishte marihuanë me peshë 93 kg e 240 gram. Po ashtu, janë sekuestruar 622 euro, 6700 lekë të Shqipërisë, dy automjetet e përfshira në rast dhe një automjet tjetër, sipas Policisë.