Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për luftimin e krimit për fajde e detyrim

Prishtinë, 5 korrik - Policia e Kosovës, në vazhdën e luftimit dhe zbulimit të veprimtarive kriminale, një rëndësi të veçantë i ka kushtuar zbulimit dhe luftimit të veprave penale që lidhen me fajde&detyrim.

Për këtë qëllim ajo ka hartuar një plan operativ “Stop fajdesë dhe detyrimit”, rikujton policia përmes një komunikate.

Qëllimi i këtij plani është identifikimi, parandalimi, hetimi dhe arrestimi i të dyshuarve që në çfarëdo mënyre janë të inkriminuar me VP të fajdesë dhe detyrimit.

Bashkëpunimi i ngushtë me Prokurorinë e Shtetit, lidhur me luftimin e këtyre veprave penale si dhe bashkëpunimi me qytetarët në këtë drejtim është i domosdoshëm.

Vlen të potencohet se në këtë aspekt PK-ja ka bashkëpunim shumë të ngushtë me qytetarët, ndaj të cilëve ajo shprehet “shumë mirënjohëse dhe falënderuese”.

Me qëllim të sensibilizimit dhe avancimit të mëtutjeshëm të bashkëpunimit me qytetarë, si dhe me qëllim të parandalimit dhe luftimit të veprave penale fajde & detyrim Policia e Kosovës fton qytetarët që kanë informata ta kontaktojnë Policinë e Kosovës në tel: 192, 038 550 999, 0800 19999, ndërsa siguron se të gjitha informacionet e tyre do të trajtohen me seriozitet.