Policia e Kosovës është duke e hetuar vdekjen e një gruaje në Malishevë, pasi familjarët e saj kanë shprehur dyshimet se shkaktare për vdekjen ka qenë vaksina anti-COVID. Edhe pse mjeku kujdestar i ka hedhur poshtë këto pretendime, trupi i pajetë i viktimës është dërguar në obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Sot rreth orës 17:00, nga QKMF-e Malishevë është njoftuar Stacioni policor se nga familjarët e saj ishte sjellë një person - femër pa shenja jete. Rastit i është përgjigjur patrulla policore dhe njësia e hetimeve S.P. Malishevë, sipas mjekut kujdestar nuk vërehet ndonjë element dyshimi rreth vdekjes, por në kontakt me familjarët e viktimës, të njëjtit deklarojnë dhe dyshojnë se shkaktar i vdekjes mund të jetë vaksina anti-Covid-19 tp cilën viktima e kishte marrë para tre ditësh në QKMF Malishevë. Lidhur me rastin është kontaktuar prokurori kujdestar i krimeve të rënda ku me urdhër te tij rasti cilësohet si më lartë (Hetim i vdekjes) dhe trupi i pajetë i viktimës merret nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion. Hetimet në vijimësi. Hetim vdekje”, ka thënë pasditen e së enjtes, zëdhënësi i Policisë në Gjakovë, Nusret Gjurkaj.
KOHA ka qëndruar më pas në familjen e gruas që vdiq sot. Familjarët e saj kanë shprehur dyshime, teksa kanë thënë se dyshimet janë shtuar për shkak se “ajo para se të vaksinohej i janë bërë të gjitha analizat e detajuara”.
“Para se të vaksinohej e kam dërguar në Prishtinë, në QKUK, dhe ia kam bërë analizat nëse i plotëson parakushtet për vaksinim dhe çdo gjë ka qenë në rregull, rekomandimi i mjekut ka qenë se mund të vaksinohet, u vaksinua të hënën dhe kaloi pa asnjë problem kur sot u keqësua dhe vdiq shumë shpejtë", ka thënë për KOHËN, bashkëshorti i gruas që humbi jetën. “Ishte mirë me shëndet dhe prandaj po dyshoj se pasojat e vaksinës janë reflektuar pas 3 ditësh.”
Në Urgjencën e QKMF-së Malishevës vërehet se e ndjera ka shkuar pa shenja jete, sot mes orës 13:00 dhe 14:00 kur është evidencuar edhe vdekja e saj.
Drejtori i QKMF-së Afrim Krasniqi ka thënë për KOHËN në orët e mbrëmjes se nuk mund të prononcohej për media, pasi nuk i kishte informatat e duhura për këta.
Edhe
Dyshohet për vrasje në Malishevë
E kryefamiljari ka thënë se për hapat e mëtejmë pret rezultatet e obduksionit të kufomës, pasi trupi i të ndjerës ende gjendej në IML-Prishtinë për autopsi.
E ndjera ka lënë prapa vetes 5 fëmijë, 4 djem dhe një vajzë, të gjithë të rritur.
Policia e Kosovës ka hapur hetime rreth rastit dhe po e trajton atë si vdekje të dyshimtë.