Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Policia arreston dy “kolegë”

Foto: Koha / ilustrim

Policia e Kosovës në rajonin e Gjakovës thotë se pas një pune operative hetimore në terren, sot rreth orës 03:00 të mëngjesit të hershëm, në fshatin Bishtazhin janë arrestuar dy të dyshuar, Sh. H. dhe B. D., të cilët duke e përdorur një dritë vezulluese e kanë ndaluar një qytetar në Krushë të Vogël të Prizrenit, përderisa i njëjti po udhëtonte me veturën e tij.

“Të dyshuarit janë prezantuar si zyrtarë policorë, duke kërkuar para nga viktima. Pasi që viktima ka dyshuar në prezantimin e tyre, ka kërkuar që të njëjtit të identifikohen me kartela zyrtare. Të dyshuarit në pamundësi të prezantimit të kartelave zyrtare, duke parë se mashtrimi i tyre nuk po funksionon, ikin në drejtim të Gjakovës”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Falë bashkëpunimit të mirë të qytetarëve, Drejtoria Rajonale e Policisë në Prizren dhe Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës, të dyshuarit janë arrestuar.

Policia thekson se lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme procedurale nga ana e njësive relevante policore, duke përfshirë intervistimin e personave të dyshuar.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarve ju shqiptohet masa e ndalimit policor për 48 orë.