Dy persona kanë mbetur të plagosur si shkak i përfshirjes në një konflikt në fshatin Doganaj të Ferizaj në orët e para të së hënës.
Njëri nga të plagosurit është zyrtar policor, i cili në kohën kur ka ndodhur rasti nuk ka qenë në detyrë.
Të plagosurit fillimisht kanë marrë ndihmën e parë në Qendrën Emergjente në Ferizaj dhe më pas janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtejmë.
Lidhur me këtë rast është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës (IPK).
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Drejtorisë Rajonale në Ferizaj, Kanun Veseli. Ai bëri të ditur se janë intervistuar dy dëshmitarë që gjendeshin në njërën nga veturat.
Rasti është cilësuar si “vrasje e mbetur në tentativë dhe shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.
“Nga hetimet fillestare mësohet se në incident ishin të përfshirë dy persona: një qytetar me veturën ‘Golf 7’ dhe një zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare, me veturën BMË. Për shkak të përfshirjes së zyrtarit policor, është njoftuar edhe Inspektorati Policor i Kosovës. Nga vendi i ngjarjes janë sekuestruar dy vetura, dy armë zjarri (pistoleta), 16 gëzhoja dhe një predhë. Të plagosurit pasi kanë marrë ndihmën e parë në Qendrën Emergjente ne Ferizaj janë dërguar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor dhe sipas informatave nga personeli mjekësor ndodhen jashtë rrezikut për jetë. Ndërsa janë intervistuar dy dëshmitarë që gjendeshin në njërën nga veturat”, ka thënë Veseli.
Teksa Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se katër persona janë ndaluar për 48-orë, nën dyshimin se kanë kryer veprat penale “Vrasja në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Pjesëmarrja në rrahje”.
Sipas IPK-së njëri prej të ndaluarve është zyrtari policor.