Pesë të rinj të cilët dyshohet se tentuar të kryenin një grabitje të armatosur në Gjakovë, janë arrestuar të martën, ka njoftuar Policia e Kosovës.
Sipas një njoftimi të Policisë, rasti kishte ndodhur të dielën në rrugën “Ali Hasi”. Në mbrëmje në Polici ishte raportuar një rast “grabitje e armatosur e mbetur në tentativë”.
Policia ka njoftuar se pas ekzaminimit të provave nga vendi i ngjarjes, të nesërmen ishin identifikuar të dyshuarit e mundshëm. Sot, janë kontrolluar pesë lokacione të ndryshme me kontrollin që rezultoi me arrestimin e pesë të rinjve si dhe konfiskimin e armës me të cilën dyshohet të jetë kryer vepra penale.
Me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë. Të arrestuarit janë mes moshave 17 dhe 23-vjeç.
Të arrestuarit janë:
- B.M. d.l. 24.05.1997, mashkull kosovar,
- Q.G. d.l. 14.11.1997, mashkull kosovar,
- S. P. d.l. 06.06.1998, mashkull kosovar,
B.P. d.l. 24.04.2000, mashkull kosovar dhe
- F. P d.l. 09.08.2003 , mashkull kosovar.
“Hetuesit e Stacionit Policor Gjakovë janë duke analizuar provat e mbledhura dhe lidhshmërinë eventuale me veprat tjera të mundshme, të kësaj natyre për të cilat dyshohet se mund të jenë të përfshirë të njëjtit persona”, përfundon komunikata e Policisë.