Një zjarr ka shpërthyer të dielën në restorantin “Maja e zezë” në fshatin Stanqiq të Gjilanit.
Policia i ka thënë KOHËS se për shpërthimin e zjarrit ka njoftuar roja e sigurimit të këtij restoranti, ndërkaq rasti është raportuar rreth orës 05:20.
Tutje bëhet e ditur se ky zjarr nuk ka shkaktuar lëndime në njerëz, mirëpo dëmet materiale vlerësohet se janë të konsiderueshme.
Deri më tani nuk dihen shkaktarët e zjarrit, ndërsa rasti është cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
"Sot rreth orës 05:20, në fshatin Stanqiq, Komuna e Gjilanit, është djegur restoranti ‘Maja e zezë’. Roja e sigurimit e këtij restoranti ka njoftuar për shpërthimin e zjarrit. Njësitet e Policisë së Kosovës, forenzika, hetimet rajonale, zjarrfikësit si dhe eksperti kundër Zjarreve, kanë dalë me urgjencë në vendin e ngjarjes. Fatmirësisht nuk ka persona të lënduar, dëmet materiale sipas vlerësimeve të para janë të konsiderueshme. Për momentin nuk dihen shkaktarët e zjarrit, për rastin është njoftuar prokurori i shtetit i cili rastin e ka cilësuar ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Rasti është duke u hetuar nga hetimet rajonale të Gjilanit.