Kronikë

Për një javë, Policia në Prizren kap 26 shoferë duke vozitur në gjendje të dehur

Drejtoria Rajonale në Prizren, përkatësisht njësia e komunikacionit rrugor, në kuadër të aktivitetit dhe planit vjetor, këtë javë përkatësisht nga data 22.07.2019-28.07.2019 ka realizuar planin operativ "Vozitja e automjeteve nën ndikim të alkoolit".

Sipas njoftimit të Policisë, gjatë kësaj periudhe ka ngritur gjithsej 18 pika kontrolli në rajonin e Prizrenit, ka ndaluar gjithsej 267 automjete, ka kontrolluar 237 persona, ku nga këta persona 63 persona kanë rezultuar nën masën 0.50 pl (promila), 26 persona me ndikim të alkoolit mbi 0.50 pl (promila).

“Në zbatim të ligjit të komunikacionit rrugor ndaj 26 personave është shqiptuar gjobë dhe masa mbrojtëse 6 muaj ndalesë vozitje dhe konfiskim i patentë shoferit. Me dokumentacion të Kosovës gjoba mbrojtëse janë shqiptuar për 13 shtetas të Kosovës, ndërsa janë shqiptuar masa mbrojtëse edhe për 13 persona me dokumente të huaj”, thuhet në njoftim.

Njoftohet se Drejtoria Rajonale në Prizren do të vazhdoj edhe në të ardhmen me plane operative për dukurinë e vozitjes së automjeteve nën ndikimin e alkoolit me qëllim parandalimin e kundërvajtjeve në komunikacion dhe evitimin e aksidenteve të trafikut me pasoja lëndimi dhe me fatalitet.

Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të kujdesshëm, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të përqendrohen në ngasje të sigurt.