Policia e Kosovës ka arrestuar një person në Batllavë të Podujevës, i dyshuar për vrasjen e ish-policit Triumf Riza.
Në komunikatë, Policia njoftoi se i dyshuari me inicialet I.A., i njohur me njofkën “Liza”, është arrestuar të dielën rreth orës 17:00, ndërsa po kërkohej tash e sa vjet.
“Si rezultat i angazhimeve dhe hetimeve të pandërprera të Policisë së Kosovës, sot me datën 16.07.2023, rreth orës 17:00, në Batllavë të Podujevës është arrestuar i shumë kërkuari (I, A,) i njohur me nofkën ‘Liza’. I njëjti ishte në kërkim policor për disa vite me radhë, si i dyshuar për vepër penale të vrasjes së rëndë”, thuhet në njoftimin policor.
Sipas Policisë, i dyshuari është arrestuar pas koordinimit të njësive të ndryshme policore, përfshirë edhe sektorin e narkotikëve, që kanë asistuar deri në arrestimin e tij.
Riza, polic i Njësisë Speciale ROSU, ishte vrarë më 30 gusht të 2007-s. Vrasjen e Rizës e kishte pranuar Arben Berisha. Ai ishte dënuar me 35 vjet burgim.
Për Rizën është gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit.