Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Paraburgim personave që u kapën në laborator të drogës në Suharekë

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji, e cila do të llogaritet prej kohës së arrestimit 16.02.2022 dhe mund të zgjasë deri më datën 16.03.2022, ndaj të pandehurve A.R., M.V., E.M., F.M., A.M., E.D., për shkak të dyshimit zë bazuar se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit dhe blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge të Kodit Penal të Kosovës.

Gjykata me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ndaj të pandehurve ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit. Katër nga të dyshuarit janë me shtetësi maqedone, një nga Prishtina dhe një nga Suhareka.

“Nga data e pavërtetuar e deri me datë 16.02.2022, pa autorizim, kanë kultivuar bimën e hashashit, shkurres së kokainës ose bimën e kanabisit, me qëllim të prodhimit të narkotikeve ose substancave psikotropike, në atë mënyrë që në bashkëkryerje me njëri - tjetrin kanë kultivuar bimën narkotike brenda një objekti që ka shërbyer si mulli në fshatin Shirokë – Komuna e Suharekës, dhe atë në katin e 7-të, ashtu që me datë 16.02.2022, rreth orës 14:15 minuta, me rastin e ekzekutimit të urdhër kontrollit, në objektin e cekur është zbuluar vendi ku bëhej kultivimi i bimës narkotike, pajisjet dhe materialet për kultivimin e bimës narkotike si dhe rreth 32 kg, substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, e cila ishte në procesin e tharjes, si dhe 2059 saksi – vazo, që kishin të mbjellura bimë të dyshuara të llojit kanabis sativa, e po ashtu në vendin e ngjarjes janë zënë në flagrancë të gjithë të pandehurit”, thuhet në njoftim të Gjykatës.

Gjykata ka bërë me dije se përveç që prodhimit të narkotikëve, të pandehurit e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave që deri tash janë të paidentifikuar.

“Po ashtu, të pandehurit e lartcekur, pa autorizim kanë poseduar me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, ose ofrimit për shitje, substancën të dyshuar për narkotikë, të llojit marihuanë, të shpallur me ligj si narkotik, të cilat i kanë siguruar nga kultivimi i bimës narkotike, të siguruara në rrethana të përshkruara si më lartë, e të cilën substancë e kanë ofruar për shitje apo shpërndarje personave të tjerë tani për tani të pa identifikuar”, vijon njoftimi.