Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Paraburgim për të dyshuarin që tentoi të shiste kokainë në Prizren

30 ditë paraburgim i ka caktuar Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda të dyshuarit P.M. për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Sipas njoftimit të Gjykatës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se P.M pa autorizim me datë 16 korrik, në orët e mesnatës (me të bashkëpandehurin i cili është në arrati), ishin duke përgatitur – ndarë nëpër qese plastike sasinë e substancës së dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”, me qëllim që të njëjtën pastaj ta shesin nëpër qytet.

Pas arrestimit të të pandehurit gjatë kontrollit në banesë dhe objekte policia ka gjetur një qese plastike ngjyrë e bardhë ku brenda saj ishin 43 qese plastike të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit “Kokainë”, në peshë prej 57.40 gr. Dy peshore elektronike me mbishkrimet “Digital Pocket Scale”, “Muhler” dhe një peshore elektronike në formë të çelësit. Njëmbëdhjetë qese plastike me substancë të dyshuar për narkotik të llojit “Kokainë”, në peshë prej 5.44 gr. Në një kuti metalike kishte të fshehur substancën e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, në peshë prej 50.49 gramë.