Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një shtatëvjeçare vdes në një aksident në Pejë

Foto: Koha / ilustrim

Një shtatëvjeçare ka vdekur e tre persona të tjerë janë lënduar si pasojë e një aksidenti trafiku në fshatin Ozdrim të Pejës, të martën në mesditë.

Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës, në aksident janë përfshirë dy vetura.

“Deri të aksidenti ka ardhur kur ngasësi i automjetit, ‘Seat’ ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Istogut në drejtim të Pejës dhe me të arritur në fshatin Ozdrim, duke mos ju përshtatur kushteve të rrugës dhe shpejtësisë, me pjesën e parë ballore e godet automjetin ‘VW Golf’ në pjesën e parë të anës së djathtë i cili ishte duke qarkulluar në rrugën Pejë-Istog. Me ketë rast pos dëmeve të mëdha materiale shkaktohen edhe lëndime trupore të rënda dhe të gjithë të lënduarit dërgohen në Spitalin Rajonal Pejë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Vdekjen e fëmijës, të lindur më 2012, e kanë konstatuar mjekët e emergjencës spitalore.

Për shkak të lëndimeve të rënda dy persona ndalohen për shërim të mëtutjeshëm në spital, ndërsa i dyshimti pas marrjes së ndihmës së parë lirohet nga spitali, por me urdhër të Prokurorit për krime të përgjithshme ndalohet për të vazhduar me procedura të mëtejme.