Kronikë

Një person në Bërnicë vdes në shtyllë elektrike

Një person ka vdekur në fshatin Bërnicë të Prishtinës, të mërkurën në mbrëmje, në një shtyllë elektrike.

Sipas një njoftimi nga Policia e Kosovës, personi kishte mbetur për një kohë në shtyllën elektrike, ndërsa pasi është zbritur në tokë është konstatuar se është pa shenja jete.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, i ka thënë KOHËS, se për rastin Policia ishte njoftuar rreth orës 19:30. Ai ka thënë se me këtë rast janë njoftuar edhe ekipet emergjente mjekësore, KEDS-i dhe zjarrfikësit. Ndërkaq, rreth orës 21:00, ai ka njoftuar se personi që kishte mbetur në shtyllë ishte zbritur në tokë, e që “sipas ekipit mjekësor, ai është pa shenja jete”.