Gjykata Themelore në Pejë ka shqiptuar masën e paraburgimit prej një muaj ndaj të pandehurit A.K., pasi dyshohet se më 26 nëntor në Deçan kishte dashur ta privojë nga jeta U.L.
Të dy kishin pasur një problem të mëparshëm dhe më 26 nëntor, derisa i pandehuri me veturë ishte ndalur në një parking, aty ishin paraqitur të dëmtuarit, të cilët kanë filluar ta godasin me këmbë veturën. Nga vetura ka dal i pandehuri A.K. që me brisk ka filluar ta godasë U.L., e si pasojë e dëmtimeve të rënda trupore, të dëmtuarit janë dërguar në QKUK.
“Me këto veprime i pandehuri A.K dyshohet se ka kryer veprën penale vrasje në tentativë nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së. Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës do të dëgjohen dëshmitarët ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës. Gjithashtu, gjykata caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton me peshën e veprës së kryer penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprës penale. Gjykata vlerësoi edhe masat tjera alternative për sigurinë e pranisë së të pandehurit në procedurë mirëpo, vlerësoi se në ketë fazë të procedurës asnjë masë tjetër alternative nuk do të ishte e adekuate”, thuhet në vendimin e Gjykatës së Pejës.