Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj paraburgim për një të dyshuar për vrasje të rëndë në tentativë

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë ka caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit L.T, për shkak të dyshimit të bazuar për vrasje të rëndë në tentativë.

Sipas komunikatës për media, pas një mosmarrëveshje dy të pandehurit L.T dhe S.T. e kanë goditur me thika viktimën duke i shkaktuar lëndime të rënda.

“Më datë 14.08.2020, rreth orës 21:34, në Klinë, te parkingu i parkut të lojërave, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të atëçastshme dhe përleshjes fizike në mes të pandehurve dhe të dëmtuarve, të pandehurit kanë tentuar që të privojnë nga jeta të dëmtuarit në atë mënyrë që, të pandehurit gjatë përleshjes nxjerrin thikat dhe godasin të dëmtuarit duke iu shkaktuar lëndime trupore të cilat në momentin e shkaktimit ishin të rrezikshme për jetën e pastaj ikin nga vendi i ngjarjes ndërsa, të dëmtuarit dërgohen në spital me qëllim të ofrimit të ndihmës së parë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, të pandehurit S.T i është caktuar masa e paraburgimit me datë 16.08.2020 ndërsa, i pandehuri L.T ka qenë i pakapshëm për organet e drejtësisë deri me datë 15.01.2021 kur është arrestuar dhe është sjellë para gjykatës dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

“Kjo pasi që, gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i pandehuri ka kryer veprën penale për të cilën dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do procedohen të dy të pandehurit të cilët janë vëllezër, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se të njëjtit mund të koordinojnë dhe harmonizojnë mbrojtjen e tyre si dhe mund të ndikojnë në dëshmitarë për ndryshimin e deklaratave të tyre, e me qëllim të shmangies apo zbutjes së përgjegjësisë penale si dhe të ndikojnë te të dëmtuarit dhe dëshmitarët e tjerë të cilët ende nuk janë procedura, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës. Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe duke e marrë parasysh peshën e veprës penale, mënyrën në të cilën është kryer dhe fakti i kryerjes së veprës penale në një vend ku në momentin e kryerjes kanë qenë të grumbulluar një numër i madh i njerëzve, si dhe duke pas parasysh raportet e acaruara me të dëmtuarit, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundoj veprën e tentuar penale apo të kryej ndonjë vepër të natyrës së njëjtë”, thuhet në njoftim.