Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kronikë

Një muaj burgim shtëpiak për personin i cili sulmoi fizikisht një infermier në Prizren

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arresti shtëpiak prej një muaji ndaj të pandehurit A.K., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale sulmi ndaj personit zyrtar.

Gjykata me rastin e caktimit të arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit A.K., ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

“Me datat 14 mars, në orët e mbrëmjes, në Spitalin e Përgjithshëm në Prizren, i pandehuri A.K., e sulmon fizikisht personin zyrtar – infermierin teknik i cili ishte në kryerje të detyrës zyrtare, ashtu që pasi i pandehuri e dërgon djalin e tij në Spital për të kryer ekzaminim, i dëmtuari - infermieri teknik i kërkon të dhënat personale të djalit të të pandehurit pasi këto shënime nuk ishin të evidentuara në udhëzim, e pas kësaj i pandehuri fillon të fjaloset me të dëmtuarin duke i ‘u drejtuar me fjalët ‘për para e ki a, dhe se me të kam problem që dy vite’, dhe pas kësaj me dashje e sulmon fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me grushte në pjesën e fytyrës dhe hundës, si rrjedhojë e së cilës të dëmtuarit i shkakton lëndime trupore”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, i pandehuri A.K., nuk guxon që të largohet nga lokalet ku i njëjti e ka vendbanimin në Prizren, si dhe i ndalohet të kontaktojë me personat me të cilët ai nuk jeton apo të cilët nuk janë të varur nga i pandehuri, nëse i njëjti e shkel masën e arrestit shtëpiak, ndaj të njëjtit do të caktohet masa e paraburgimit.

“Gjykata është e mendimit se edhe me masën e arrestit shtëpiak ndaj të pandehurit do të sigurohet prezenca e tij, e në rastin konkret i pandehuri gjatë deklarimit të dhënë në Polici, ka pranuar se ka kryer sulmin ndaj personit zyrtar, ndërsa këtë veprim e ka ndërmarrë për shkak të gjendjes jo të mirë të tij dhe të djalit të tij, të cilin e kishte dërguar për trajtim në spital”, thuhet në njoftim.