Kronikë

Një i vdekur e tre të lënduar në një aksident në aksin Lezhë – Milot

Një aksident i rëndë rrugor, me një të vdekur dhe 3 të lënduar është regjistruar orët e mbrëmjes së të martës në aksin Lezhë-Milot, në vendin e quajtur “kryqëzimi i Treshit”.

Përplasja mes 3 automjeteve ka rezultuar fatale për Arjan Bejtjen, 37-vjeçari që nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në vend. Ai mësohet të ketë qenë oficer në Burgun e Shënkollit, në Lezhë.

Nga përplasja kanë mbetur edhe 3 të lënduar, dy prej të cilëve në gjendje më të rëndë, raporton Top Channel.

Në vendngjarje kanë shkuar menjëherë forca të shumta policie dhe emergjencave civile, ndërkohë që po hetohet mbi rrethanat dhe shkaqet e aksidentit.