Kronikë

Një grua në Ferizaj arrestohet për lajmërim të rrejshëm

Arrestim

Policia ka bërë të ditur se një grua në Ferizaj është arrestuar për kallëzim të rrejshëm.

Nëpërmjet një komunikate për media, Policia ka thënë se 38-vjeçarja kishte raportuar dy herë se e kishte parë një person në një lokal duke nxjerrë një armë zjarri nga sirtari i banakut.

Bëhet e ditur se policët e rendit dhe hetuesit e stacionit në Ferizaj, nën autorizim të prokurorit i kanë marrë të gjitha veprimet e nevojshme dhe kishin nisur hetimin, duke kontrolluar personelin dhe lokalin, mirëpo aty nuk kanë gjetur asgjë.

“E njëjta prapë e ka përsëritur denoncimin e njëjtë se në këtë lokal ka armë zjarri. Policia edhe me datën 06.09.2022 i kanë kryer kontrollet e nevojshme, mirëpo nuk është gjetur asgjë. Policia e Ferizajt nën dyshimin se mund të ketë lajmërim apo kallëzim të rrejshëm ka nisur hetimet ndaj personit anonim që ka lajmëruar policinë dhe pas një pune hetimore, hetuesit policor kanë arritur që të identifikojnë të dyshuarën dhe vendin e ndodhjes së saj, e cila më pas është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, e dyshuara është ndaluar për 48 orë.