Kronikë

Nga një muaj paraburgim për 15 të arrestuarit në aksionin “Gropa”

Paraburgim

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit kundër 15 të pandehurve në kohëzgjatje prej një muaji për veprën penale “Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge ose veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike”.

Vendimi është marrë të mërkurën ndaj të pandehurve, gjashtë prej të cilëve janë shtetas të Turqisë.

“Departamenti për Krime të Rënda, ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurve shtetas të Kosovës dhe të Turqisë”, thuhet në komunikatë.

Në njoftimin e gjykatës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se të pandehurit kanë kryer veprën penale dhe se ky dyshim mbështet nga faktet dhe provat të cilat janë të bashkangjitura deri në këtë fazë.

“Gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër pesëmbëdhjetë të dyshuarve e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtëve iu është caktuar masë e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji për secilin veç e veç”, thuhet më tej në njoftimin e gjykatës.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, ka njoftuar se më 23 maj është realizuar aksioni “Gropa” me ç’rast ka rezultuar me arrestimin e mbi 10 personave të dyshuar.

Gjatë këtij aksioni janë kontrolluar dhe bastisur disa lokacione të ndryshme në Ferizaj dhe janë sekuestruar rreth 70 kilogramë substancë narkotike e llojit Captagon (heroinë) dhe disa pajisje për përpunimin e saj.