Policia në Shqipëri ka njoftuar se ka finalizouar operacionin policor të koduar "Artizanati", ku janë sekuestruar armë, municion luftarak, lëndë radioaktive e kimike
Policia ka bërë të dituar se ka evidentuar dhe bllokuar një magazinë, brenda të cilës u gjetën dhjetëra bidonë plastikë, ku dyshohet se mbaheshin lëndë radioaktive natyrore dhe lëndë kimike.
Sipas Policisë janë duke u zhvilluar hetime për të përcaktuar llojin e këtyre lëndëve.
“Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë magazinë, u gjetën dhjetëra bidonë plastikë, brenda të cilëve kishte lëndë radioaktive natyrore dhe lëndë kimike. Ekspertët e Institutit të Policisë Shkencore kanë marrë kampione të këtyre lëndëve, me qëllim ekspertimin kimik të tyre, nga ekspertët e Institutit të Fizikës Bërthamore dhe të Radiologjisë. Vijon puna për të përcaktuar shkallën e rrezikshmërisë së këtyre lëndëve, për shëndetin e qytetarëve, si dhe për të përcaktuar qëllimin e mbajtjes dhe të përdorimit të tyre”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu thuhet se janë sekuestruar edhe armë. “Gjatë kontrollit në këtë magazinë, u gjetën dhe u sekuestruan edhe një armë zjarri kallashnikov dhe një sasi municioni luftarak”, thuhet në njoftim, derisa bëhet e ditur se është arrestuar edhe pronari i magazinës.
“Shërbimet policore dhe të Komisariatit të Policisë në Kukës, të mbështetura nga inteligjenca informative, se në një ambient (magazinë), në qytetin e Kukësit, mbaheshin lëndë radioaktive natyrore dhe lëndë kimike, si dhe se pronari i këtij ambienti, mbante armë zjarri pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Artizanati’. Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi D. M., 44 vjeç, banues në Kukës”, thuhet në njoftim.
-
Arrestohet një person, Policia i gjen plot narkotikë e një armë
-
Sekuestrohen rreth 7 kg marihuanë në Merdar, arrestohet një person
-
Arrestohet një burrë në Prishtinë, u shiste thika e boksa metalikë të miturve
-
Arrestohet një i dyshuar për narkotikë, Policia i gjen edhe një bombë
-
Bastiset një poligon armësh në Fushë-Kosovë, konfiskohen 14 leje armësh në emër të pronarit